Iniciativa CorrWatch shpreh shqetësimin e thellë me zhvillimet e fundit rreth procesit rekrutues për pozitat për Drejtorë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore KEK.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit të aplikacioneve, CorrWatch ka identifikuar se pesë (5) kandidatë, përkundër që nuk i kishin plotësuar kriteret ligjore të përcaktuara nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, ishin përfshirë në listën e ngushtë nga Komisionin Rekomandues dhe ishin ftuar për intervistë. Katër (4) kandidatë nuk e kanë përvojën e kërkuar në nivel të lartë të menaxhmentit ndërsa një (1) kandidat (i cili është tërhequr nga procesi) nuk e ka dorëzuar letërnjoftimin valid, siç ka kërkuar konkursi. Në konkursin e shpallur nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit (ZKM), theksohet qartë se “Aplikacionet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen”.
CorrWatch ka rekomanduar ZKM-në, dhe Komisionin Rekomandues që të rishqyrtojë listën e ngushtë në pajtim me kriteret dhe procedurat ligjore në fuqi. Sidoqoftë, Komisioni nuk e ka marrë parasysh rekomandimin e CorrWatch dhe ka vazhduar me intervistimin e kandidatëve, duke i rekomanduar Qeverisë 13 kandidatë, 3 prej të cilëve ishin futur në listë edhe pse nuk i kishin plotësuar kriteret.
Përfshirja në proces e kandidatëve që nuk i plotësojnë kriteret ligjore përbën shkelje të ligjit dhe lë hapësirë për dyshime për favorizim të kandidatëve të caktuar.
Andaj përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon përjashtimin e tre (3) kandidatëve nga lista e ngushtë për të rikthyer ligjshmërinë e procesit dhe rikujton se garantimi i një procesi të drejtë, transparent dhe të paanshëm është thelbësor për ruajtjen e integritetit të institucioneve publike.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
