Skip to content

REAGIM PUBLIK

Thirrje për transparencë dhe llogaridhënie nga Termokos dhe ZRRE në lidhje me faturimin e energjisë termike

CorrWatch shpreh shqetësimin e thellë për faturimin e energjisë termike nga Termokos dhe kërkon një rishikim të menjëhershëm pas publikimit të faturave të tetorit dhe nëntorit. Këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike.

Një nga çështjet më shqetësuese është se faturat janë lëshuar pa miratimin e tarifave nga ZRRE. Në mënyrë të papranueshme, Termokos ka aplikuar komponentën e ndryshueshme (tarifa për furnizim/konsum), e cila është për konsumatorët që kanë matës të ngrohjes, ndonëse shumë banesa ende nuk kanë matës. Kjo ka sjellë ankesa të shumta nga qytetarët, të cilët po përballen me rritje të papritur të faturave prej rreth 30%, pa një njoftim zyrtar që të njoftonte shtrenjtim tarifash për vitin 2024.

Për më tepër, Termokos ka vendosur dy kategori të reja kostosh, për konsum të përbashkët dhe kapacitet termik, pa ofruar një sqarim të qartë mbi metodologjinë ose arsyetimin pas këtyre ndryshimeve. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që kërkon informimin e saktë dhe transparent të qytetarëve për çdo tarifë dhe ndryshim që lidhet me shërbimin.

CorrWatch, i bën thirrje Termokosit të kryejë detyrimin ligjor për shërbim të drejtë e cilësor për konsumatorët dhe ZRRE-së që të ndërhyjë sa herë që të drejtat e tyre shkelen.

Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.

Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.

ME SHUME: