Iniciativa CorrWatch, konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit (në kuadër të MINT) dhe, veçanërisht, faza e verifikimit paraprak, ka pasur shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe si pasojë, ky proces duhet të anulohet.
Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak janë përfshirë dy (2) kandidatë. CorrWatch vlerëson se vetëm njëri (1) prej tyre plotëson kushtet dhe kriteret ligjore të përgjithshme të përcaktuara me konkurs. Ndërsa, në listën përfundimtare të rezultateve, të dy kandidatët janë shpallur fitues për të kaluar në fazën e fundit të emërimit.
CorrWatch konsideron se lista e ngushtë e publikuar nuk është valide dhe, si pasojë, as rezultatet përfundimtare nuk janë të vlefshme. Prandaj, CorrWatch kërkon që institucioni të anulojë këtë proces, sepse vazhdimi i tij pa u trajtuar kjo çështje përbën një shkelje serioze të ligjit.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
