CorrWatch organizoi sot një tryezë diskutimi me temën “Rritja e transparencës në menaxhimin dhe monitorimin e fondeve mbështetëse në bujqësi”. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, Zyra e Kryeministrit dhe përfaqësues nga niveli komunal.
Diskutimi u fokusua në hartimin dhe zbatimin e politikave për rritjen e transparencës në menaxhimin e granteve dhe subvencioneve, me një theks të veçantë në përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit. Gjithashtu, u trajtuan sfidat dhe masat për parandalimin e keqpërdorimeve gjatë shpërndarjes dhe mbikëqyrjes së fondeve mbështetëse. Përfaqësuesit nga niveli lokal ndanë përvojat e tyre mbi këto reforma, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së shoqërisë civile për të siguruar transparencë dhe efikasitet.
Pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me synimin për të rritur transparencën gjatë zbatimit të thirrjeve për grante dhe subvencione në sektorin e bujqësisë.![]()
![]()
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, i financuar nga British Embassy Pristina dhe i zbatuar nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP).


