Skip to content

REAGIM PUBLIK – Për krijimin e praktikave të paligjshme dhe dështimin e  Ministrisë së Arsimit në përmbushjen e obligimeve ligjore në furnizimin me tekste shkollore

Iniciativa CorrWatch* shpreh shqetësim publik për procesin e kundërligjshëm, për herë të dytë, të kalimit të obligimeve ligjore për furnizim me tekste shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në subvencione tek prindërit.  Ky veprim nuk është vetëm shkelje e detyrimeve ligjore nga MASHTI, por është gjithashtu shkakton një barrë të panevojshme për prindërit, që për më tepër mund të ndikojë në fillimin me kohë të procesit mësimor duke ndikuar negativisht tek nxënësit.

MASHTI, për të dytin vit rradhazi, ka bërë shkelje ligjore pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik, ajo dështoi plotësisht të planifikojë dhe të përmbushë detyrimet e saj, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga ana e ministrisë.Në të njëjtën kohë, me kalimin e obligimeve ligjore për furnizim me libra nga MASHTI tek prindërit, është është shkelur përsëri Ligji Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, neni 26, paragrafi 4 thekson që “..tekstet shkollore ofrohen falas”, si dhe paragrafi 1 “..ministria miraton tekstet shkollore dhe mjetet e materialet e tjera mësimore sipas rregullave të prokurimit”.

Në planin e prokurimit për vitin 2024 MASHTI kishte planifikuar aktivitetin e prokurimit “Blerja e librave prej klasës 1-9 për vitin 2024/25” me vlerë 9,486,885.00 Euro, një proces i tillë nuk u realizua. Aktiviteti ishte planifikuar të filloj me 28 qershor 2024, mirëpo MASHTI nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për fillimin e procedurave të prokurimit, duke e neglizhuar tërësisht këtë aktivitet të planifikuar. Në vend që të përmbushë obligimin ligjor, MASHTI ka preferuar të ndjekë të njëjtën praktikë të subvencionimit si vitin e kaluar, pa dhënë asnjë arsyetim të bazuar për këtë vendim. Në këtë rast, pyetja për ministrinë do të ishte se si është dëshmuar që kjo mënyrë është e duhura, kur aq më tepër nuk ka një vlerësim zyrtar mbi rrjedhën e procesit të vitit të kaluar.

Duke subvencionuar këtë shërbim që në fakt duhej të ishte përgjegjësi ekskluzive e ministrisë, MASHTI  ka lënë hapësirë të gjerë për keqpërdorime por gjithashtu tregon një mungesë të kontrollit të mirëfilltë, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Poashtu, fakti që nuk ka informacione të sakta mbi çmimin e librave dhe koston totale të këtij procesi, tregon një mungesë të theksuar të planifikimit të duhur dhe të menaxhimit të përgjegjësive shtetërore. Për më tepër. vitin e kaluar, kjo mënyrë subvencionimi i ka kushtuar qeverisë  mbi 11 milionë euro—më shumë se vlera e planifikuar për procedurën e negociuar me kompanitë, e që tejkalimi i saj ka qenë arsyetimi i anulimit të procedurës. Në anën tjetër, problemet e raportuara si vonesat në furnizimin me libra, problemet me aplikim si dhe ankesat e prindërve që ende nuk janë kompensuar, dëshmojnë qartë se kjo qasje ka qenë larg të qenit llogaridhënëse, transparente dhe efikase.

Përmes këtij reagimi CorrWatch, i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave përgjegjëse që të reflektojnë mbi këtë proces të kundërligjshëm, si dhe i bënë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetimet për të.

Sinqerisht,

GLPS, Instituti GAP & INDEP

*Iniciativa CorrWatch është e themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Projekti “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashme Komonuelthit dhe Zhvillimit.

ME SHUME: