Procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtarit për Auditim të Brendshëm në Ibër-Lepenc karakterizohet me shkelje: CorrWatch kërkon rishqyrtimin e procesit
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutimi, CorrWatch ka identifikuar shkelje. Më konkretisht, komisioni ka përfshirë në listën e ngushtë dhe ka ftuar për intervistë një kandidate që nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në shpallje, veçanërisht ato që lidhen me përvojën e punës. Gjatë verifikimit paraprak, kjo kandidate nuk kishte dokumentet që mbështesnin përvojën e saj të punës dhe të njëjtat i ka dorëzuar pas afatit të paraparë në konkurs.
Kjo praktikë është diskriminuese ndaj kandidatëve të tjerë dhe bie ndesh me rregullat e konkursit, të cilat përcaktojnë qartë se “kandidatët me dokumentacion të pakompletuar, të paplotësuar, jo të duhur dhe jashtë afatit të konkurrimit do të refuzohen.”
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.