Iniciativa CorrWatch, konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe si pasojë e njëjta duhet rishqyrtuar.
CorrWatch ka evidentuar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vendosur në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës si dhe dëshminë se ndaj kandidatit nuk ka masë disiplinore në fuqi perkundër që në konkurs është përcaktuar në mënyrë eksplicite që aplikacionet e mangëta do të refuzohen.
CorrWatch ka ngritur këto shqetësime tek MPB si dhe te komisioni vlerësues dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara. Edhe pas kësaj, institucioni në fjalë ka vazhduar tutje me procesin e rekrutimit (fazën e testimit me shkrim), duke shkelur ligjin dhe duke legjitimuar një proces jo ligjor.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.