Procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil karakterizohet me shkelje: CorrWatch kërkon të rishqyrtohet ky proces
Iniciativa CorrWatch konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje, dhe si pasojë e njejta duhet rishqyrtuar.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutues, CorrWatch ka evidentuar shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik. Më saktë, AAC ka vendosur në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore (kriteret e përgjithshme) të cilat janë të përcaktuara me këtë ligj, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës që kërkohet për pozita të tilla të nivelit të lartë. Ndonëse në listën aktuale të publikuar nga AAC nga rezultatet e verifikimit paraprak janë 7 kandidatë të listuar, CorrWatch konsideron që vetëm 4 nga kandidatët plotësojnë në tërësi kriteret e përgjithshme ligjore.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
