Kundër vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për procesin e kundërligjshëm të aktivitetit të prokurimit: Zgjerimi i rrugës Nacionale, Prishtinë-Besi-Podujevë.
Iniciativa CorrWatch, e themeluar nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) shpreh shqetësim të thellë për vendimin e fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për të refuzuar ankesën e njërit operatorë ekonomik, lidhur me procesin e prokurimit “Zgjerimi i rrugës Nacionale, Prishtinë–Besi-Podujevë”.
Corrwatch konsideron se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tutje:MMPHI) është shumë shqetësues dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (tutje: LPP). Ky vendim është ndërmarrë me arsyetimin se “Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik” duke ju referuar nenit 104 të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik. CorrWatch konsideron se është vështirë i kuptueshëm arsyetimi sa i përket mbrojtjes së interesit publik karshi peshës së paligjshmërive të identifikuara nga vet paneli shqyrtues i OSHP-së.
CorrWatch konsideron që ky arsyetim i vendimit është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë në fakt dëmton më së shumti interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, duke lejuar që të vazhdohet një proces të kundërligjshëm, me vlerë rreth 33 milion euro. CorrWatch kërkon që të rishqyrtohen dhe të anulohen vendimet, si dhe i bën thirrje prokurorisë që të hetojnë këtë aktivitet të prokurimit.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.