Konsorciumi i organizatave të Institute for Development Policy (INDEP), Group for Legal and Political Studies dhe Instituti GAP në kuadër të projektit CorrWatch mbajtën Forumin e dytë të Avokimit për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve në fushën e dhënies së granteve dhe subvencioneve, si dhe për të identifikuar sfidat e sektorit të cilat do të shërbejnë më pas për monitorim të mirëfilltë. Projekti CorrWatch financohet nga British Embassy Pristina.
Tryeza u moderua nga Drejtori i programit të hulumtimit në INDEP, Dardan Abazi, ndërsa fjalë rasti u dhanë nga Ema Pula, koordinatore e projektit nga GLPS, si dhe Rrona Zhuri, koordinatore e projektit nga Instituti GAP. Pjesëmarrësit e tjerë përbënin përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përkatësisht Departamenti i Politikave të Zhvillimit Rural, Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Qëllimi i këtyre Forumeve është rritja e transparencës ndërinstitucionale ku theks të veçantë do t’i kushtohet monitorimit të proceseve të subvencionimit dhe dhënies së granteve, duke identifikuar kështu disa nga sfidat e këtij sektori që lidhen me mungesën e kapaciteteve njerëzore të organeve ekzekutese, hartimi dhe miratimi i programeve për subvencione dhe grante në afate kohore të parashikueshme dhe të rregullta, amandamentimi i legjislacionit përkatës për përshpejtim të procedurave të miratimit të programve si dhe garantimi i gjithëpërfshirjes dhe ligjshmërisë në këto procese.


