Se teknologjia ndikon në përmirësim të cilësisë së procedurës dhe në masë të madhe ndikon në zbatimin e parimeve të meritës, kjo është provuar në praktikat e rrëfyera të menaxherëve të personelit kur shpesh sistemet e teknologjisë së informacionit kanë shërbyer për refuzimin e urdhrave të paligjshëm me justifikimin “shef nuk lejon sistemi”
Pothuajse është bërë perceptim i përgjithshëm i publikut se për të fituar një vend pune në administratën publike duhet të kesh lidhje politike, familjare apo shoqërore. Sigurisht, rekrutimi i nëpunësve publikë në këtë mënyrë prodhon një administratë joprofesionale, të korruptuar, të cenueshme dhe jo të aftë t’i shërbejë interesit publik.
Për të ndryshuar këtë perceptim dhe për të rritur besueshmërinë në institucione, procesi i rekrutimit duhet të kalojë në një proces konkurrues dhe transparent për të përzgjedhur personin më të kualifikuar për pozicionin e caktuar, që ndryshe njihet si parimi i bazuar në meritë. Vetëm një proces i rekrutimit që bazohet në zbatimin e parimeve të meritës siguron rekrutim të drejtë, të hapur dhe konkurrues, që zvogëlon praktikat e rekrutimit të ndikuar nga politika dhe nga faktorët e tjerë jomeritorë.
Krahas kornizës ligjore të vendosur, e cila mishëron meritën si parim udhëheqës, fakti i zbatimit të tyre që domosdoshmërisht përfshin faktorin njeri, prandaj zvogëlimi i subjektivitetit në procesin e rekrutimit është vendimtar për të siguruar meritokoracinë. Menaxhimi i burimeve njerëzore në përgjithësi dhe procesi i rekrutimit në veçanti janë përmirësuar kohët e fundit duke përdorur një zgjidhje të teknologjisë informative e cila i bën proceset rekrutuese shumë më të efektshme dhe zvogëlon subjektivizmin njerëzor. Në proceset e rekrutimit teknologjia informative në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në rritjen e transparencën, në zvogëlimin e ndikimit njerëzor, në uljen e gabimeve njerëzore dhe në rritjen e besimin të publikut në procesin e rekrutimit.
Publikimi i shpalljeve për vende të lira të punës përmes platformave për rekrutim, ueb-faqeve të institucioneve, si dhe mediave sociale, sigurisht që është një ndryshim i madh në krahasim me publikimin në gazeta ditore apo edhe në tabelat për njoftimet publike të vendosura nga institucionet. Ky ndryshim ka rritur mundësinë që informata të shpërndahet tek një numër sa më i madh i kandidatëve të interesuar, që është i ndërlidhur drejtpërdrejt me kredibilitetin e vetë procesit, por edhe me tërheqjen e kandidatëve me kualitativë dhe meritorë.
Kalimi nga një aplikim në formë fizike në atë elektronike përmes platformave për rekrutim, ul ndjeshëm ngarkesën e aplikuesve dhe të institucioneve. Lehtësimi për aplikues ka të bëjë me mënyrën e aplikimit, uljen e kostos dhe rritjen e besimit për mos ndërhyrje dosjen e aplikimit. Këto platforma mundësojnë krijimin e dosjes elektronike, në të cilën aplikuesi vendos të gjitha informatat e nevojshme (shkollimi, përvoja, trajnimet etj.), si dhe dokumentet të cilat dëshmojnë këto të dhëna. Pas krijimit të njëhershëm të dosjes elektronike, aplikuesi mund të aplikojë në të gjitha konkurset e interesuara me vetëm një klikim. Ky lehtësim në aplikim, si dhe komunikimi elektronik (email apo sms) i vazhdueshëm gjatë gjithë procedurës, që nga aplikimi deri te përzgjedhja e kandidatit fitues, ndikon në masë të madhe që procesi të jetë sa më transparent, i hapur dhe i drejtë.
Verifikimi i dosjes së aplikuesve nga njësia e burimeve njerëzore përmes platformave për menaxhim të burimeve njerëzore në krahasim me atë fizike, përpos që rrit shpejtësinë e verifikimit, ul ndjeshëm edhe gabimet njerëzore. Në këtë fazë të procesit përdorimi i teknologjive të avancuara (Inteligjencës Artificiale) do të ndihmojë në përpunimin e informacioneve të shumta me qëllim të përzgjedhjes së aplikuesve më të përshtatshëm për pozitën e shpallur.
Testimi me shkrim është pjesë mjaft e rëndësishme në fazën e vlerësimit. Shumica e ankesave dhe e dyshimeve për keqpërdorim janë në këtë fazë. Shpërndarja e testeve tek kandidatët e favorizuar, ndërhyrja në teste pas përfundimit të procesit të testimit, janë vetëm disa nga parregullsitë që e përcjellin këtë proces. Përdorimi i aplikacioneve që mundësojnë realizimin e testimit me shkrim në formë elektronike, të mbështetur në një procedurë standarde për operim, është element shumë i rëndësishëm në zbatim të parimit të meritës. Praktikat kur komisioni i vlerësimit përzgjedh pyetjet nga një bankë e pyetjeve dhe atë vetëm dy orë para fillimit të testit dhe pas përfundimit të testimit të gjithë aplikuesit njoftohen me rezultatin, kanë rritur në masë të madhe besueshmërinë në procesin e testimit.
Është evidente se përdorimi i teknologjisë ka ndihmuar shumë lehtësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Përdorimi i shumë platformave për komunikim (Zoom, GoTo Meeting, etj) ka hapur rrugë se edhe intervistat mund të realizohen jo vetëm me prezencë fizike por elektronike.
Përdorimi i platformave për rekrutim përmes të cilave realizohen të gjitha procedurat që nga shpallja e konkursit deri te njoftimi i kandidatit fitues, kanë dëshmuar se ndikojnë në masë të madhe në rritjen e zbatimit të parimit të meritës në proceset e rekrutimit. Një procedurë e rekrutimit e hapur, transparente, me mundësi të barabarta, me procese automatike të vlerësimit dhe njoftimit të kandidatëve, rrit shpresën e përzgjedhjes së kandidatëve meritorë dhe profesionalë për pozicionin e caktuar.
Se teknologjia ndikon në përmirësim të cilësisë së procedurës dhe në masë të madhe ndikon në zbatimin e parimeve të meritës, kjo është provuar në praktikat e rrëfyera të menaxherëve të personelit kur shpesh sistemet e teknologjisë së informacionit kanë shërbyer për refuzimin e urdhrave të paligjshëm me justifikimin “shef nuk lejon sistemi”.
(Ky publikim është pjesë e nismës” “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të GLPS dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe të organizatave zbatuese)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.