Harmonizimi, llogaridhënia dhe transparenca janë elemente të licencimit që mungojnë e çalojnë në shumicën e institucioneve publike të Republikës së Kosovës, gjë që ka shkaktuar mungesë të efikasitetit, konfuzion tek investitorët dhe dëme mjedisore me raste edhe të pariparueshme. Nevojitet reformë e menjëhershme që zhvillimin ekonomik të mos e bëjmë në dëm të mjedisit dhe standardet mjedisore të zbatohen njëtrajtshëm
Kosova hyri në vitin 2022 me pasiguri nën hijen e pandemisë COVID-19. Kjo pasiguri u përforcua më tej nga kriza gjeopolitike në zhvillim që kulmoi me agresionin rus kundër Ukrainës. Këto ngjarje, ndër të tjera, kontribuuan në destabilizimin e sektorit të energjisë dhe pasojat e saj po shfaqen mbi besueshmërinë e furnizimit, kapacitetin e energjisë elektrike dhe sigurinë e energjisë. Kriza bëhet edhe më e thellë për kontekstin e Kosovës kur dihet që decentralizimi i gjenerimit të energjisë elektrike nuk ka ndodhur e gjithashtu llojllojshmëria e burimeve gjeneruese nuk është arritur mjaftueshëm.
Por si u bë që Kosova ende varet nga tymtarët e Obiliqit për energji elektrike dhe çfarë ndodhi që nuk arritëm të tërheqim investime? Si është e mundur që për një licencë përfundimtare të prodhimit të energjisë të nevojitet endja nëpër së paku 7 zyre të ndryshme dhe institucione të ndryshme? A po bëhet burokracia për të parandaluar korrupsionin apo po shndërrohet pikërisht në mjetin që e nxitë atë? Një gjë është e sigurt: lejet, licencat, pëlqimet, vlerësimet e çka jo tjetër, kanë nevojë për harmonizim e ndryshim. Për më pak kriza e më shumë prodhim të decentralizuar. Për më pak sportele dhe konfuzitet e më shumë transparencë dhe përcjellje.
Procedura për pajisje me licencë të ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese për BRE fillon nga sigurimi i raportit për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM), dokument që sigurohet përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën ku planifikohet të realizohet projekti. Si fazë e dytë e procesit është sigurimi i pëlqimit mjedisor në institucionet e lartpërmendura. Sigurimi i këtij dokumentacioni i hap rrugë aplikimit për leje mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Zyra e Rregullatorit për Energji është institucioni pasues, ku bëhet aplikimi për licencë të ndërtimit të centralit, e gjithashtu edhe aplikimi preliminar dhe final i projektit. Këto procedura kanë “trembur” investitorët, të cilët sot në pikun e krizës energjetike, do të ishin lehtësim për qytetarët e Kosovës dhe për sistemin energjetik të vendit.
INDEP, që nga viti 2014, në analizat e bëra në atë kohë e duke marrë shembull edhe praktikat ndërkombëtare, ka rekomanduar krijimin e një “One-Stop-Shop” për t’u marrë me të gjitha aplikacionet administrative për projekte të BRE-ve. Jo “One-Stop-Shop” për informim, por për të kryer punë konkrete dhe për të realizuar procedurat brenda një dite. Por kjo nuk ka ndodhur. Kanë vijuar problemet me endjen poshtë e lartë, me dokumentet që kanë afat tridhjetë ditë e lëshohen vetëm në ditën e fundit etj. Për më tepër licencat e lejet e dhëna deri më sot, në institucione si Ministritë, ZRRE, KPMM e shumë akterë të tjerë, i janë nënshtruar parimit “First come, first serve”. I pari që ka ardhur ka bllokuar kapacitetet për skemën mbështetëse duke tentuar të bëjë tregti me licenca dhe duke zvarritur ndërtimin e vërtetë të kapaciteteve dhe injektimin e sistemit me energji. Aty ku janë ndërtuar, në një pjesë të konsiderueshme kanë shkaktuar degradim të lumenjve dhe injorim të nevojave të komunitetit.
Me qëllim të rrjetëzimit e lehtësimit të procedurave, konsorciumi GLPS, GAP dhe INDEP me datë 3 tetor organizuan “Forumin e avokimit për një sektor publik pa krim dhe korrupsion”, aktivitet që mblodhi institucionet si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) etj. Është evidente edhe nga vetë institucionet e lartpërmendura që barrierat e paraqitura në procedura të pajisjes me leje apo licenca janë të shkaktuara si shkak i mungesës së bashkëpunimit adekuat dhe i procedurave burokratike, që dallojnë dhe variojnë nëpër secilin hap. Nëpër të gjitha 24 kriteret licencuese!
Nevoja për ndryshim është urgjencë edhe në aspektin e transparencës e të llogaridhënies. Lista e lejeve dhe licencave të lëshuara në Kosovë nuk është e përditësuar dhe e mirëmbajtur sistematikisht. Kjo natyrisht që ngre dyshime se a mos këto dokumente po sigurohen në mënyrë të paligjshme. Transparenca e procesit sjell siguri për aplikuesit dhe nxjerr në pah nyjat e korrupsionit. Është hapi i parë për ta përkrahur ndryshimin.
E ndryshimi arrihet edhe atëherë kur monitorimi i procedurave, kritereve dhe afateve monitorohet direkt nga OJQ-të me qëllim të analizimit të të dhënave, përpunimin, si dhe komentimin e tyre para se ato të miratohen nga institucionet përkatëse. Një përfshirje e tillë do t’i hapte rrugë dhe do të kontribuonte edhe në nisjen e procedurave rishqyrtimit të të gjitha dokumenteve udhëzuese të cilat mund të ndikonin në lehtësimin e procedurave burokratike. Lehtësimi do të nënkuptonte interesim të shtuar e pakësim të zvarritjeve.
Harmonizimi i afateve, pakësimi i sporteleve dhe transparenca janë kyç. Janë parakusht për nxitje të investimeve dhe mbrojtje të mjedisit. Që të ulim degradimin mjedisor e të shtojmë prodhimin e brendshëm të energjisë. Për transformimin energjetik që na duhet dhe kundër korrupsionit. Për më shumë energji të pastër në terren e më pak zyrtarë të shtetit në burg.
(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.