Skip to content

Financimi publik për prodhuesit bujqësorë është rritur. Përse nuk po rritet prodhimi?

Keqmenaxhimi dhe politikat e gabuara kanë bërë që qindra miliona euro të ndara për bujqësinë të mos e arrijnë efektin e synuar për rritjen e prodhimit
Si vend në zhvillim, me popullsi e cila në shumicë jeton në vende rurale, me papunësi të lartë dhe me deficit të lartë tregtar, investimet në bujqësi nga institucionet e Kosovës janë parë edhe si mjet për rritjen e punësimit dhe uljen e varësisë nga importi.

Për këtë qëllim Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe komunat për çdo vit ndajnë miliona euro në grante dhe subvencione për bujqit. Në vitin 2021, Instituti GAP ka publikuar dy raporte të cilat matin ndikimin e subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor. Sipas këtyre raporteve, nga viti 2015 deri në vitin 2021, MBPZHR ka ndarë 211.7 milionë euro subvencionim për drithëra, vreshta, blegtori dhe shpesëri. Për të njëjtën periudhë, MBPZHR ka ndarë edhe 133.8 milionë euro në grante.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, partia e cila udhëheq tani qeverinë ka premtuar dyfishimin e subvencioneve bujqësore apo 100 milionë euro për çdo vit. Ky premtim zgjedhor nuk reflektohet edhe në Programin Qeverisës 2021-2025 e as në Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

Por rritja e vlerës së subvencioneve dhe granteve bujqësore nuk ka ndikuar edhe në rënien e varësisë nga importi për produktet bujqësore e as në rritjen e sasisë së prodhimit për shumë kultura bujqësore të subvencionuara. Në shumicën e kulturave bujqësore prodhimi, sipërfaqja e mbjellë dhe rendimenti në vitin 2021 nuk duket të ketë ndryshuar shumë krahasuar me periudhën para fillimit të politikave mbështetëse. Në raste ku ka rritje të prodhimit ose të rendimentit, kjo rritje është shumë më e ulët se rritja e pagesave direkte ndër vite.

Hulumtimi i Institutit GAP nxjerr në pah se rendimenti i grurit në vitin 2019 ishte më i ulët për 4.3 për qind krahasuar me vitin 2010. Sipërfaqja e mbjellë me grurë është rritur për 2.4 për qind, mirëpo shuma e pagesave direkte është rritur për 150 për qind. Raporti i Gjelbër për vitin 2021 tregon se rendimenti është rritur paksa, por jo konform subvencioneve për këtë sektor. Elbi ka rritje të sipërfaqes së mbjellë për 63 për qind nga viti i shpërndarjes së pagesave direkte deri në 2019, mirëpo trefishim të subvencioneve. Në anën tjetër, nuk vërehet përmirësimi i strukturës së tokës së mbjellë. Në industrinë e prodhimit të qumështit, me gjithë trefishimin e pagesave direkte ndër vite dhe rritjes së pagesave për krerë, numri i lopëve qumështore dhe prodhimi i qumështit është zvogëluar për rreth 30 për qind. Sipas Raportit të Gjelbër 2021, në vitin 2020 ishin rreth 134 mijë lopë qumështore, apo rreth 57 mijë më pak se në vitin 2008. Prodhimi i qumështit në vitin 2020 ishte për 100 mijë litra më i ulët sesa në vitin 2008.

Të dhënat e importit tregojnë se në vitin 2020 është importuar grurë për 37% më shumë në sasi sesa në vitin 2012. Për të njëjtën periudhë është importuar më shumë misër për 140 për qind më shumë në sasi, ashtu siç ka ndodhur edhe me produkte tjera bujqësore. Edhe pse eksporti i produkteve bujqësore është rritur në vitin 2020, deficiti tregtar në këtë sektor vazhdon të thellohet.

Fajet për mosarritjen e efekteve të subvencioneve dhe granteve i kanë politikat bujqësore, por edhe keqpërdorimi i granteve. Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se menaxhimi i sektorit të bujqësisë nuk është bërë në mënyrë të duhur. Procesi i monitorimit të rezultateve të granteve aktuale ka mangësi dhe nuk siguron matjen e rezultateve dhe krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori. Sipas një vlerësimi të performancës së granteve dhe subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, ZKA gjen se përfitues të granteve kanë qenë edhe biznese që nuk kanë veprimtari primare bujqësinë.

Vitin e kaluar, si pjesë e operacionit të koduar “Subvencioni 2021”, Policia në koordinim me Prokurorinë arrestuan së paku 14 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke përfshirë edhe kryeshefin e kësaj agjencie. Sipas hetimeve preliminare të prokurorisë, dëmi i shkaktuar nga mashtrimi me subvencioneve për bujqësinë arrinte në një milion euro.

Kosova, për dallim nga vendet e rajonit, nuk përfiton fonde nga Bashkimi Evropian për financim dhe zbatim të masave dhe programeve të parapara. Edhe pse Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020 është bazuar në parimet e Instrumentit për Asistencë në Paraanëtarësim për Zhvillim Rural (IPARD), ka dështuar themelimi i këtyre strukturave. Përderisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga fondet e IPARD, për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së ekspertizës, Kosova humb dhjetëra miliona euro financim nga ky mekanizëm i BE-së.

Me Programin e Qeverisë 2021-2025, Qeveria është zotuar se do të reformojë dhe zhvillojë sistemin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve, si dhe do të zhvillojë sistemin e kontrollit. Në raportet e vitit 2021, Instituti GAP ndër të tjera ka rekomanduar që për secilën masë të ketë edhe tregues të qartë të matjes së suksesit dhe të funksionalizohet Departamenti i monitorimit. Njohësit e politikave bujqësore të cilët janë konsultuar për këtë shkrim rekomandojnë edhe vendosjen e objektivave kombëtare të prodhimit për secilën kulturë bujqësore, ndërlidhjen e granteve me performancë, kufizimin e subvencioneve dhe granteve vetëm në vitet e para të operimit.

Duke marrë parasysh se transparenca dhe llogaridhënia në ndarjen e granteve dhe subvencioneve deri tash ka munguar, duke filluar nga ky vit, konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe INDEP do të bëjnë monitorimin e granteve dhe subvencioneve që ndahen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

ME SHUME: